Breaking News:

Celebrity Gossip

World News

Vila e Naitit, pa tender

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, e ka marrë pa tender vilën në fshatin Brod të komunës së Dragashit, kundrejt një pagese vjetore prej 735 euro, përkatësisht 0.20 euro për metër katror, apo rreth 60 euro në muaj.

Myzafer Luma, ish-kryeshef i Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) thotë se objekti që aktualisht e ka në shfrytëzim deputeti Hasani në atë kohë ka qenë në menaxhim të Shoqatës së Gjahtarëve të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar një pëlqim edhe prej Shoqatës së Gjahtarëve, që e ka sjellë Nait Hasani dhe asgjë të keqe këtu nuk ka”, ka thënë Luma për gazetën “Zëri”.

Luma bën të ditur se për shfrytëzimin e kësaj prone Hasani ka bërë kërkesën në APK, ku më pas është themeluar komisioni vetëm për këtë çështje, i cili më pas, sipas tij, ka dalë në vend të ngjarjes, e ku, sipas tij, pas plotësimit të kushteve është nënshkruar kontrata.

Luma më tej bën të ditur se pas një kohe, vendi ku është ndërtuar objekti është bërë pjesë e parkut Nacional të Maleve të Sharrit, që, sipas tij, përgjegjës për atë pjesë tashmë është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Morina: Nuk do të lejojmë keqpërdorime

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë se deri më tash nuk kanë dhënë në shfrytëzim ndonjë aset në Parkun Nacional të Maleve të Sharrit.

”Ne kemi dëgjuar që atë objekt shfrytëzon Nait Hasani dhe se tash ajo pjesë hyn nën kompetencat e Agjencisë së Kosovës për mbrojtjen e Mjedisit. Drejtoria e parkut e cila është me seli në Prizren, është duke e bërë incizimin për dy parqet në Agjencinë e Kadastrit”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri më tash Agjencia nuk ka bërë ndërrimin e pronarëve në kadastër për pronën në fjalë. “Nëse zyrtarisht, ajo pronë kalon nën kompetenca tona, ne nuk lejomë keqpërdorime. Nëse dikush ka kontratë dhe i vazhdon me mosshkatërrimin e pyllit, mosndotje, mosprekje të interesave të parkut, ne nuk kemi nevojë ta ndërpresim kontratën”, ka thënë ai. Mirëpo, ai ka thënë se ekziston mundësia tjetër që pikërisht objekti të cilin e shfrytëzon Nait Hasani, ne mund ta marrim në shfrytëzim atë pronë për rojtarët e parkut. “Nëse ajo pronë na nevojitet neve për roje të pyjeve, e mbaj për vete, nuk vazhdojmë kontratën me Nait Hasanin”, ka thënë Morina.

Ndërkaq, Hazer Dana, drejtor i Parkut Nacional, ka thënë se problemi për momentin është çështja e pronës.

“Për këtë punë është në proces gjyqësor Komuna me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Çështja e pronës është në kontest dhe nuk është e definuar, ne zyrtarisht me letra nuk  jemi pronarë që mund të ndërhyjmë”, ka thënë ai.

Anëtarët e komisionit, frikë nga Hasani

Asnjë prej anëtarëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, nuk kanë dashur të flasin në lidhje me vilën pa tender të kolegut të tyre.

Disa prej tyre janë arsyetuar se nuk janë të njoftuar me këtë çështje, e disa të tjerë thjesht nuk kanë dashur të prononcohen. Rasim Demiri, zëvendëskryetar i dytë i Komisionit për Bujqësi Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, nga partia VAKAT, nuk e ka ditur se deputeti i Kuvendit, Nait Hasani, ka pronë në shfrytëzim diku. Mirëpo, pasi që është informuar nga gazeta në lidhje me rastin, ai ka thënë se nuk mund të flasë.

“Nuk mund të flas, njëherë më duhet me fol me Naitin, e mandej flas me juve. Nëse ka mundësi”, ka thënë ai përmes telefonit, duke mos e zgjatur më shumë.

Edhe Afërdita Berisha-Shaqiri, anëtare e Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk ka pasur informacione që kryesuesi i Komisionit e ka në shfrytëzim atë pronë. Ajo nuk ka dashur të flasë më shumë në lidhje me çështjen në fjalë.

“Nuk dua të prononcohem për diçka që nuk kam informata”, ka thënë ajo shkurt përmes telefonit, duke mos e zgjatur më shumë.
Ngjashëm, nuk ka dashur të komentojë edhe anëtari tjetër i po këtij Komisioni, Nijazi Idrizi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /LajmetFlash/

Follow any responses to the RSS 2.0. Leave a response