Breaking News:

Celebrity Gossip

World News

Aktakuzë për pronarin e kolegjit “Fama”

Pronari i kolegjit universitar “Fama”, Salal Ahmetgjekaj është i akuzuar me tre bashkëpunëtorë për përfitim të kundërligjshëm të pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 2.87 hektarë në Prizren, ku ka ndërtuar objektin e degës së këtij kolegji.

Sipas aktakuzës të cilën e posedon gazeta “Zëri”, gjatë muajve prill – maj të vitit 2008 të pandehurit dyshohet se nuk i kanë paguar 215 mijë euro shitësit të tokës, Lulzim Kabashit.
“Kabashit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm dhe atë në shumën prej 200 mijë euro, ngase nuk e kanë paguar në tërësi paluajtshmërinë”, thuhet në aktakuzë, ku shtohet se këto mjete janë derdhur në llogarinë e dy të pandehurve tjerë, Xhavit Shabani dhe Senihate Hasani, bashkëshortes së këtij të fundit.
“Të njëjtit nuk kanë pasur autorizim për shfrytëzim apo bartje të mjeteve për shitblerjen e pronës dhe në këtë mënyrë kanë kryer veprën penale- shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 par 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së”, shkruan në aktakuzë.
Pos këtyre të pandehurve, prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë edhe për Raif Halilin, përfaqësues i Universitetit, por edhe për dy persona të tjerë Xhavit Shabani e Milazim Bytyqi të cilët kishin qenë ndërmjetësues të paautorizuar për tokën e blerë.
Zhvillohen tri seanca
Burime nga prokuroria në Prizren bëjnë me dije se deri më tani janë zhvilluar tri seanca, gjatë të cilave të akuzuarit kanë mohuar se kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen. Por përpjekjet e gazetës për të biseduar me pronarin Ahmetgjekaj kanë qenë të kota ngase i njëjti nuk është lajmëruar.
Mirëpo. avokati i tij, Hazër Susuri ka paralajmëruar gazetën se publikimi i faktit se klienti i tij është i akuzuar, mund të jetë vepër penale.
“Është e ndaluar të jepen informacione deri në plotfuqishmërinë e vendimit”, ka thënë shkurt Susuri i cili mbron interesat e Salal Ahmetgjekajt.
Deri me tash ndaj Ahmetgjekaj nuk ekziston ndonjë vendim gjyqësor. Kjo aktakuzë figuron në mesin e lëndëve që prokuroria në fjalë i cilëson lëndë të korrupsionit e të cilat i ka prioritet në punën e saj.
Dy ndërmjetësuesit e paautorizuar të kësaj shitblerje, Xhavit Shabani e Milazim Bytyqi akuzohen se kanë mashtruar Lulëzim Kabashin gjatë shitjes së parcelës së tij e cila gjendet në zonën kadastrale Dushanovë në Prizren dhe kanë përfituar paligjshëm nga kjo shitje e pronës.
“Pa kurrfarë autorizimi gojor apo me shkrim mjetet prej 215 mijë euro të njëjtat i kanë pranuar në xhirollogarinë e të pandehurit Xhavit dhe bashkëshortes së tij ndërsa i pandehuri Milazim Bytyqi nuk e ka njoftuar me kohë për derdhjen e këtyre mjeteve shitësit Lulëzim Kabashin me rast të pandehurit kanë sjellë dobi pasurore ndërsa të dëmtuarin e kanë mashtruar dhe e kanë vënë në lajthim”, thuhet në diapozitivin ku përshkruhet vepra penale e mashtrimit.
Mohojnë akuzat
Të gjithë të pandehurit në fazën e hetimeve i kanë mohuar këto veprime derisa i dëmtuari, në këtë rast Lulëzim Kabashi ka thënë se është vënë në lajthitje duke menduar se kishte të bënte me persona seriozë.
Para se të nënshkruhej kontrata e shitblerjes ishte nënshkruar një parakontratë dhe sipas tij, përfaqësuesit e universitetit “Fama” e kishin kryer një pagesë prej 200 mijë eurosh tek personat që në fakt nuk kishin qenë të autorizuar për këtë punë e më pas e kishin bindur të dëmtuarin që të nënshkruajë kontratën.
Sido që të jetë, pretendimi i prokurorisë dhe ai i të akuzuarve pritet që të vërtetohet nga Gjykata Themelore në Prizren e cila edhe është duke udhëhequr gjykimin në këtë rast./LajmetFlash

Follow any responses to the RSS 2.0. Leave a response