Veç Zoti e di!
Asnjë zyrtar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kishës Katolike nuk ka mundur të jap një shifër të saktë të të hyrave të tyre vjetore. As shteti nuk di për to, meqenëse, asnjëra nga këto bashkësi fetare nuk i raportojnë financat e tyre në organet shtetërore.
Gjithçka që kanë thënë këta zyrtarë të BIK-ut dhe Kishës Katolike është seata financohen vetëm nga njerëzit e vullnetit të mirë, që janë të gatshëm të ndihmojnë bashkësinë e tyre fetare.
Ahmet Sadriu, përgjegjës për media në Bashkësinë Islame ka thënë për Kosovapress se nuk mund të flas sa është buxheti ose të hyrat vjetore në BIK, përveç asaj se BIK arrin të mbijetoj disi nga ato pak të hyra, siç i ka quajtur ai.
Pagesa për anëtarësi, për secilin mysliman, që në vit kushton diku rreth dy ose tri euro, është vetëm njëra nga format e financimit të BIK-ut.
Organizimi dhe kujdesi, për më shumë se 900 të interesuar për shkuarje në haxh për çdo vit, është edhe një mënyrë tjetër, që në adresë të Bashkësisë Islame derdhen disa qindra mijëra euro.
“Nuk mund të flas me shifra, por nuk kemi ndonjë buxhet edhe pse është politizuar, polemizuar apo si ta quaj, është bërë bukur poter në media dhe është fol se BIK ka këtë buxhet, e këtë buxhet, ato janë më shumë spekulime. BIK-u vazhdon të jetoj qysh ka jetuar edhe para lufte, nga të hyrat që i kemi nga ndihmat vullnetare të popullit nga sadakatur fitri, nga zeqati, nga kurbanet, lëkurat e kurbaneve nga një pjesë, e që gjithashtu janë të hyra nga organizimi i haxhit e kështu me radhë. Këto janë të hyrat e BIK, nuk kemi absolutisht të hyra të tjera dhe krejt kjo e bënë një buxhet simbolik që në vazhdimësi, ne ballafaqohemi me këto probleme”, ka thënë Sadriu.
Ai ka thënë se kur bëhet fjalë për të hyrat e BIK'ut, çdo cent që hyn në arkën e BIK-ut, kontrollohet nëpërmes autoritetit bankar të Kosovës, meqë Bashkësia Islame ka një xhirollogari të hapur në njërën nga bankat në vend.
Pagat që ndan BIK-u jepen kryesisht për nëpunësit e BIK-ut, siç është Kryesia, Medreseja, Departamenti i Gruas, Departamenti i Rinisë, pagat për Këshilla nëpër komuna, imamët e të tjerë.
Kur bëhet fjalë për imamët (hoxhallarët) në fshatra, Sadriu ka shpjeguar se në shumicën e rasteve ata paguhen nga xhemati i atyre fshatrave, ku imami kryen ritet fetare.
Mesatarisht, sipas tij, paga e imamit mund të arrijë 250 deri në 300 euro, por kjo nuk do të thotë se janë paga fikse.
Para pak kohësh, Bashkësia Islame e Kosovës, ka kërkuar që nga buxheti i Kosovës të ndahet një shumë e të hollave. Sipas zyrtarëve të BIK-ut, kjo shumë, nëse do të ndahej nga Qeveria, do të shkonte për mbulimin e pagave të nëpunësve të BIK-ut.
Për financat e Kishës Katolike nuk ka dashur të flas as Don Rrok Gjonlleshaj, famulltar në Prishtinë dhe ekonom i Ipeshkvisë.
Për financat e Kishës Katolike nuk ka dashur të flas as Don Rrok Gjonlleshaj, famulltar në Prishtinë dhe ekonom i Ipeshkvisë.
Ai ka thënë për Kosovapress se Kisha Katolike mbijeton kryesisht nga lëmosha e njerëzve që dhurojnë të holla në vlera të ndryshme.
Don Rrok Gjonlleshaj ka rrëfyer se Kisha ka disa taksa të vogla për njerëzit e besimit katolik, siç janë nxjerrja e ndonjë dokumenti, kurorëzimet, varrimet e të tjera.
“Kisha kryesisht jeton prej lëmoshe, prej njerëzve vullnetmirë, prej njerëzve që janë të gatshëm të ndihmojnë, një lloj, anëtarësimi nuk është i obliguar, nuk paguhet në Kishë, sepse çdo katolik anëtarësohet, është anëtar i kishës në pagëzim, por ajo nuk e obligon që dikush është i pagëzuar të paguaj tatime apo taksa të ndryshme vetëm pse është anëtarë i kishës katolike. Megjithatë, kisha mbijeton prej lëmoshës së njerëzve që japin, për disa gjëra ka taksa të caktuara, të cilat krijojnë një buxhet për të jetuar si duhet apo për të vepruar si duhet, për të kryer aktivitetet tona, sikur që është taksa e një dokumenti që është në vlerë prej 2 euro, ose taksa e një kurorëzimi ose një varrimi e kështu me radhë. Përndryshe, të tjerat gjëra janë në baza vullnetare, mblidhet lëmosha që i lidhë njerëzit në vullnet të mirë, çdo kush sa dëshiron të jap”, ka thënë Don Rrok Gjonlleshaj.
Të gjitha mjetet që mblidhen për Kishën Katolike, sipas Gjonlleshajt, dedikohen për mbijetesën e Kishës, për nevoja të ndryshme, ndërtimet që bëhen, si Katedralja, dhe ambientet e tjera përcjellëse si dhe për një mensë në Prishtinë që financohet nga Kisha për njerëzit të varfër.
Ky famulltar ka treguar se shtresat që kanë të ardhura të mira janë të obliguar që t`i dalin hak Kishës duke kontribuar në baza vjetore.
BIK e Kisha, s’janë të regjistruara askund
As Bashkësia Islame e Kosovës e as Kisha Katolike nuk figurojnë se janë të regjistruara në Administratën Tatimore ose në ndonjë ministri.
Këtë fakt e kanë pranuar vet zyrtarët e dy bashkësive fetare duke thënë se funksionojnë pa pasur ndonjë statut juridik.
Se këto dy bashkësi fetare nuk figurojnë të regjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës, e ka konfirmuar për Kosovapress edhe Sami Salihu, menaxher i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve.
“Lidhur më regjistrimin e BIK dhe Kishës Katolike mund të themi se në ATK, nuk janë të regjistruara asnjëra. Do të thotë, asnjëra nuk është e pajisur me numër fiskal, edhe pse ATK ka pasur takime me të dy, edhe me BIK dhe Kishën Katolike dhe neve ju kemi sugjeruar se si mund të pajisen me numër fiskal, të trajtohen me një status, si njësi buxhetore, për arsye se, deri më tani, mund të themi se nuk konsiderohen si tatimpagues, për arsye se Ligji për Liritë Fetare i liron që të dyja nga pagesat e tatimeve nga çfarëdo lloj tatimi. Mirëpo, derisa të punësuarit e tyre realizojnë të ardhura, atëherë nuk mund të themi se këta janë të liruar nga tatimi”, ka thënë ky zyrtar i ATK-së.
Recent Comments Widget