Breaking News:

Celebrity Gossip

World News

Dogana dhe ATK-ja ngrisin komunikimin

Dogana dhe ATK-ja ngrisin komunikimin

Sektori i hetuesisë që funksionon brenda Doganave të Kosovës dhe njësia e Hetimeve e Administratës Tatimore të Kosovës, tash e tutje do t’i bashkërendojnë aktivitetet e tyre. Kjo do të ndodhë pasi që vitin që lëmë pas dy agjencitë tatim-mbledhëse, Dogana e Kosovës dhe ATK-ja, nuk arritën të grumbullonin paratë për të cilat i kishte ngarkuar Qeveria.

Gjatë vitit 2013 Dogana e Kosovës nuk kishte arritur të mblidhte më shumëse 835 milionë euro. Kurse ishte e ngarkuar nga Qeveria të mblidhte 915 milionë euro. Mungesa e këtyre 80 milionë eurove në buxhetin e Kosovës kishte bërë që ekzekutivi të dështojë në realizimin e projekteve që kishe paraparë. Por pavarësisht kësaj për të pasur një performancë më efektive gjatë këtij viti dhe për të arritur objektivat të cilat ia ka vënë ekzekutivi, drejtorët e këtyre dy institucioneve, Lulzim Rafuna dhe Behxhet Haliti, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi.
Ky memorandum do t’i ndihmojë këto dy institucione, që të rrisin komunikimin dhe t’i kenë informatat e nevojshme nga njëra-tjetra. Memorandumi u nënshkrua në prani të ministrit të Financave, Besim Beqaj, Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson dhe përfaqësuesve të bizneseve tatimpagues më të mëdhenj të vendit. Me këtë rast ministri Beqaj tha se e vlerëson lart kontributin që bizneset e vendit po i japin zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ministri Beqaj theksoi rëndësinë që biznesi privat ka në sigurimin e të ardhurave për buxhetin e Kosovës dhe se gjatë viteve të kaluara, sektori privat ka dhënë një kontribut të madh në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit. “Siç e dini, në një ekonomi të tregut, roli i Qeverisë është i kufizuar në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve specifike me interes publik, ndërsa është sektori privat ai që bart barrën e rritjes ekonomike dhe punësimit. Kjo nuk dallon aspak kur flasim për vendin tonë”, tha ministri Beqaj. Ministri Beqaj ia rikujtoi edhe një herë Doganave, ATK-së dhe biznesmenëve të ftuar se të hyrat në buxhet nga tatimet e tyre janë jetike për Qeverinë e Kosovës.
“Përderisa të hyrat buxhetore janë shumë të rëndësishme, ngase ato i mundësojnë Qeverisë të financojë prioritetet e saj, ne në të njëjtën kohë do të jemi të gatshëm për të shqyrtuar çdo ndryshim të mundshëm, që do të ishte në dobi të rritjes dhe zhvillimit të sektorit privat”, ka shtuar Beqaj.
Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, nga ana e saj në këtë takim ofroi përkrahjen për Ministrinë e Financave, Doganën, Administratën Tatimore dhe bizneset. Edhe për 2014-n, për Doganën do të jetë një vit sfidues ngase është ngarkuar në një shumë më të madhe të parave që duhet t’i mbledhë.
934 milionë euro që duhet t’i mbledhë për këtë vit Dogana, dhe për ta arritur këtë shifër ekzekutivi ka marr vendim që të rritë akcizën e duhanit, nisjen e zhdoganimit të mallrave nga dy pikat në veri të vendit dhe luftimit më të madh të kontrabandës dhe dukurive tjera negative. Po ashtu nga 1 qershori pritet të nisë edhe taksimi i telefonave mobilë në mënyrë që buxheti i shtetit të ketë para që qeveria të realizojë projektet që ka premtuar.

Follow any responses to the RSS 2.0. Leave a response